Shpërndaje

Njeriu më i pasur në botë, Bill Gates në vitin 1994 në një intervistë për revistën “Playboy Magazine” kishte parashikuar saktë ngritjen e shërbimeve si Facebook dhe Netflix.

Edhe pse interneti në atë kohë shihej si gjë misterioze, Gates u tregua vizionar duke thënë se në të ardhmen do të ngriten rrjete të mëdha të internetit. Atëherë interneti përdorej etëm nga shkencëtarët dhe studiuesit edhe pse kompjuteri ishte bërë gjë e zakonshme.

Gates për “Playboy”-in kishte thënë se kompjuterët do të përdoren për krijimin e dokumenteve dhe shpërndarjen e tyre nëpërmjet uebit, transmeton PortalBizz.com

“Po themi se dëshirojmë ta shikojmë një film. Për ta zgjedhur, ju doni të dini se çfarë filma kanë shikuar të tjerët dhe në bazë të mendimit që keni për filma tjerë. Në të ardhmen ju do të jeni në gjendje ta kërkoni këtë informacion. Pastaj mund të merrni një dhe ta shikoni. Pas filmit ju do të mund të shkruani ndonjë mendim për të”, kishte thënë Gates.

Ajo që e ka përshkruar Gates në vitin 1994 është fiks si shërbimi i filmave dhe serive “Netflix” që u lansua në vitin 2007.

“Mendoni se si do të kërkoni njerëzit me interes të përbashkët, se si do të zgjedhni doktorin apo të vendosni çfarë libri të lexoni. Tani është e vështirë që të gjeni njerëz të tillë. Jeni të lidhur vetëm me njerëzit që janë afër jush. Por në një ambient të ri, komuniteti do të zgjerohet. Infrastruktura do të jetë shumë e shpejtë”, kishte thënë Gates për shërbimin që tani quhet Facebook.