Shpërndaje

Përfaqësues sindikalistë në Kosovë thonë se shitja e fabrikave në procesin e privatizimit, pa një kriter të veçantë, e ka sjell ‘buzë shkatërrimit’ ekonominë e Kosovës.

Sipas tyre, Kosova para viteve të 90-ta kishte një numër të konsiderueshëm të fabrikave në pothuajse të gjitha qytetet me karakter shtetëror-shoqëror.

Me përfundimin e luftës, shumica nga to ishin të shkatërruara kurse ekonomia e Kosovës kaloi në një krizë të thellë.

Hasan Abazi nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës thotë se shumë ndërmarrje janë shkatërruar apo iu është ndërruar destinimi i tyre pas shitjes, duke shkatërruar industritë e dikurshme në Kosovë dhe duke lënë qindra mijëra qytetarë të papunë.

“Ndërmarrjet të cilat kanë gjeneruar vende të reja të punës, në vend që të rriten, të shtohen dhe të ndihmohet ekonomia, për fat të keq, pushteti ynë ka kontribuar që ato të shuhen. Privatizimi në Kosovë e ka shkatërruar ekonominë e këtij vendi”, ka thotë Abazi.

Në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në vend aplikohet modeli i ekonomisë së lirë të tregut dhe janë të garantuara të drejtat ligjore të barabarta për të gjithë investitorët dhe të gjitha ndërmarrjet vendore dhe të jashtme.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Ramiz Kelmendi, për Radion Evropa e Lirë ka thënë se ekonomia komuniste, ku firmat ndërtoheshin nga shteti është shndërruar në ekonomi private. Në këtë sistem, thotë ai, shteti nuk ndërton fabrika por krijon kushte për të bërë biznes.

“Shteti tani vetëm rregullon legjislacionin, krijon ambient për të bërë biznes, i dëgjon me kujdes shqetësimet e bizneseve private dhe punon në legjislacion që të shkojë në funksion të zhvillimit të bizneseve private. Ne kemi edhe sot shumë fakte nga e kaluara të sektorëve publikë, aty është i mbingarkuar numri i të punësuarve, gjithnjë jemi duke financuar këtë sektor dhe kjo po na jep të mendojmë që rruga e ekonomisë se lirë të tregut, është rrugë e drejtë”, ka thënë Kelmendi.

Por, ekspertë për çështjen ekonomike, thonë se edhe pse shteti nuk ndërton fabrika, institucionet kompetente nuk kanë arritur që të krijojnë kushte që sektori privat të ndërtojë fabrika të ndryshme.

Ismail Kastrati, ish-kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, thotë se shteti ka dështuar në këtë drejtim.

“Faji apo gabimi i shtetit është se nuk ka krijuar ambient të përshtatshëm që të arrijë të tërheqë diasporën tonë të pasur, por edhe investime të huaja direkt. Sado që shteti i ka bërë disa lehtësira për regjistrimin e biznesit, ajo nuk mjafton. Për tërheqjen e investimeve, për një biznes i cili inkurajohet të vijë në Kosovë, para së gjithash duhet të sundojë rendi dhe ligji. Nuk vjen dikush të investojë para kur në një kontest juridik nuk mund të realizojë një kontratë të caktuar”, thotë Kastrati.

Kastrati thotë se në Kosovë ka nevojë që të ndërtohen fabrika për industri të ndryshme të prodhimit, në mënyrë që të mundësohet ulja e nivelit të importit.

Por, duke marrë për bazë zhvillimin ekonomik dhe gjendjen e sektorit të prodhimit, industritë e Kosovës do të ballafaqohen me probleme të shumta me tregun e brendshëm dhe tregun konkurrent të jashtëm.