Shpërndaje

Ministria e Integrimit Evropian dhe Ambasada e Suedisë në Kosovë, organizuan takimin vjetor ndërmjet Suedisë dhe Kosovës në kuadër të bashkëpunimit Suedez të reformave me Kosovën, e cila parasheh marrëveshjen e bashkëpunimit për reforma gjatë 2014-2020

Në hapje të takimit, Ministrja Ahmetaj tha se: “Objektivi i përgjithshëm i bashkëpunimit të reformës në mes të Suedisë dhe Kosovës është që të mbështesë integrimin në BE dhe të përmirësoj kushtet e jetesës për qytetarët e Kosovës. Suedia ka qenë jo vetëm një partner i rëndësishëm në zhvillimin e Kosovës, por edhe një aleat shumë i rëndësishëm politik. Sot, ne konfirmuam angazhimin tonë të përbashkët për të përqëndruar reformat në tri fusha kryesore: zhvillimin ekonomik dhe zhvillimin e sektorit privat, demokracinë dhe të drejtat e njeriut, mjedisit dhe ndryshimet klimatike “.

Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Henrik Nilsson, tha: “Qëllimi i këtij takimi vjetor është që të ketë një dialog të hapur dhe të besueshëm mbi arritjet dhe rezultatet e bashkëpunimit për reformë ndërmjet vendeve tona, por edhe të sfidave gjatë bashkëpunit si për Suedinë ashtu edhe për Kosovën. Suedia është e kënaqur në përgjithësi me bashkëpunimin për reformën dhe sinqeritetin për dialog nga ana e Kosovës, edhe pse janë shumë sfida me të cilat ballafaqohet Kosova.”

Gjatë takimit, delegacionet e udhëhequra nga Ministrja Ahmetaj dhe ambasadori Nilsson shqyrtuan progresin në zbatimin e përkrahjes Suedeze për periudhën nga 2014-2020, në vlerë prej 8-10 milionë euro në vit. Delegacionet konfirmuan se ndihma është duke u zbatuar siç është planifikuar, aktualisht me 25 programe dhe projekte.